Një valë stuhish të fuqishme ka përfshirë Ballkanin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke vënë në alarm autoritetet në disa vende të rajonit.
Më e goditura ka qenë Maqedonia e Veriut, ku vetëm disa minuta stuhi të forta paralizuan pjesë të mëdha të Shkupit.
Erërat e fuqishme, reshjet intensive dhe breshëri rrëzuan pemë e semaforë, dëmtuan automjete dhe shkaktuan dëmtime në çatitë e disa ndërtesave.
Në shumë zona u bllokua qarkullimi rrugor, ndërsa u raportuan edhe ndërprerje të energjisë elektrike. Bilanci paraprak në Shkup flet për 9 persona të lënduar, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Kryetari i Bashkisë së Shkupit bëri të ditur se autoritetet kanë pranuar mbi 1.000 thirrje për ndihmë nga qytetarët.
Mbi 50 ekipe dhe rreth 1.000 punonjës të ndërmarrjeve publike janë angazhuar në terren për largimin e pemëve të rrëzuara, pastrimin e rrugëve dhe rikthimin e normalitetit.
Dëme nga moti ekstrem janë raportuar edhe në qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut, përfshirë Kumanovën dhe Tetovën.
Stuhia ka goditur edhe Kosovën.
Fshati Kovragë i Komunës së Istogut është përfshirë nga breshëri i madh, i cili ka dëmtuar rëndë tokat bujqësore. Fermerët kanë deklaruar se të mbjellat janë shkatërruar pothuajse tërësisht.
Moti i keq i 48 orëve të fundit ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në Komunën e Mamushës, ku ndodhet pjesa më e madhe e serave bujqësore të Kosovës.
Erërat e forta dhe breshëri kanë shkatërruar dhjetëra sera, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme për fermerët.
Për shkak të rrezikut nga stuhitë, niveli i tretë i alarmit është shpallur në jug të Kroacisë, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.
Ndërkohë, Shqipëria dhe jugu i Serbisë janë përfshirë në zonën me mundësi për stuhi të forta, reshje intensive, breshër dhe erëra të fuqishme.








