PLANI I RRITJES: MALI I ZI DHE SHQIPËRIA KRYESOJNË REFORMAT E BE-së

Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh i BE-së për Ballkanin Perëndimor për vitet 2024-2027 është tashmë pak a shumë në gjysmë të rrugës.

Mali i Zi dhe Shqipëria pritet që të arrijnë norma zbatimi prej rreth 90 përqind të reformave që u kërkohen nga BE-ja, duke reflektuar ecurinë e tyre të shpejtë në negociatat e pranimit.

Serbia, Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë mbetur prapa me zbatimin e reformave të kërkuara nga Brukseli për të përfituar nga këto fonde.

Deri tani, nga fondet e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, Shqipëria ka marrë 212 milionë euro në tre pagesa të rregullta.

Për Shqipërinë në total janë planifikuar 922.1 milionë euro.

Mali i Zi ka përfituar rreth 90 milionë euro nga totali prej 383 milionë eurosh të planifikuara nga Brukseli.

Për shkak të bllokimit të brendshëm politik, Kosova nuk arriti që të ratifikojë marrëveshjet e nevojshme për të nisur zbatimin në kohë të reformave të kërkuara.

Si rezultat, Prishtina deri më tani ka marrë vetëm pagesën e parafinancimit, 61 milionë euro, ekuivalente me shtatë përqind të shumës totale të planifikuar nga KE.

Shifrat e sakta për humbjet eventuale financiare nga plani i rritjes për shtetet që kanë ecur ngadalë me reformat do të publikohen nga KE deri në muajin tetor, por kjo shumë llogaritet paraprakisht në rreth 700 milionë euro për t’u rishpërndarë për shtetet që kanë ecur më shpejt në zbatimin e reformave.

Komisioni e ka bërë të qartë tashmë se financimi i bazuar në performancë do të bëhet një tipar qendror i financimit për shtetet kandidate, pjesë e procesit të zgjerimit të BE-së, sipas buxhetit të ardhshëm shtatë vjeçar të bllokut.

Muajin e kaluar, Komisioni Evropian prezantoi paketën financiare për pranimin e Malit të Zi, aktualisht më i përparuari nga të gjitha shtetet kandidate në rrugën për anëtarësim në BE.

Kostoja ekonomike e pranimit në familjen të këtij shteti ballkanik, me një popullsi prej rreth 626,000 banorësh, vlerësohet në 3.2 miliardë euro, ose më pak se 1 euro për taksapagues të BE-së, ose siç e thonë në Bruksel, do të rezultojë më pak se çmimi i një kafeje.

Ndikimi financiar në këtë rast, por edhe për shtetin tjetër kandidat në pararojë të procesit të zgjerimit, Shqipërinë, mund të jetë po ashtu minimal, nisur nga fakti që buxheti afatgjatë i BE-së llogaritet që të jetë në total në shumën prej gati 2 trilionë eurosh.

SHARE