KËSHILLI I BE-së MIRATON RREGULLOREN QË UA HEQ REGJIMIN E VIZAVE SERBËVE TË KOSOVËS

FILE PHOTO: European flags fly outside the European Commission headquarters in Brussels, Belgium September 20, 2023. REUTERS/Yves Herman/File Photo

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar të hënën rregulloren që ua lejon edhe serbëve të Kosovës që bartin pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe në Beograd, lëvizjen e lirë pa viza sikurse të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimit të Këshillit të BE-së, nga ky vendim pritet të përfitojnë 18 mijë serbë lokalë të Kosovës, që posedojnë dokumente të tilla.

Vendimi do të hyjë në fuqi në ditën e 20-të pas botimit në “Gazetën Zyrtare” të BE-së.

Bartësit e këtyre pasaportave nuk ishin përfshirë në liberalizimin e vizave në kohën kur BE-ja i hoqi vizat për shtetasit e Serbisë.

Lidhur me këtë, Qeveria e Kosovës e kishte kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e këtyre pasaportave në liberalizimin e vizave duke e quajtur si “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”.

Për më tepër, Qeveria e Kosovës kishte argumentuar se me një vendim të tillë BE-ja do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të serbëve të Kosovës.

Për Qeverinë e Kosovës problematik është edhe fakti se në pasaportat që i lëshon Drejtoria Koordinuese Serbe në Beograd shkruhen vendbanimet në territorin e Kosovës sikur të jenë në Serbi, që është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në dialog për shuarjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.

Parlamenti Evropian më 23 prill 2024 votoi pro miratimit të lëvizjes së lirë pa viza për mbajtësit e pasaportave serbe në Kosovë të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe.

SHARE