Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi mëngjesin e sotëm lidhur me kalimin e fazës teknike të raportit IBAR, duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për pretendimet se procesi i negociatave ishte bllokuar.
Në një deklaratë publike,, në rrjetet sociale, Rama ironizoi akuzat e kundërshtarëve politikë, duke theksuar se parashikimet e tyre për dështim nuk u realizuan dhe se Shqipëria ka shënuar përparim të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit europian.
Ai bëri të ditur se më 26 maj, në Bruksel, do të mbahet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, ku pritet të vuloset me sukses faza hyrëse dhe të hapet faza përmbyllëse e negociatave të anëtarësimit.
Rama e cilësoi këtë zhvillim si një “ditë krenarie për Shqipërinë”, duke theksuar se procesi i integrimit është rezultat i punës, përkushtimit dhe bashkëpunimit institucional. Ai falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe e quajti anëtarësimin në BE një “mision historik”.
Në fund të reagimit të tij, Rama përsëriti mesazhin, “Shqipëria përsëri fitoi”.








