CAMERON: PROCESI I PAJTIMIT DHE RRITJES EKONOMIKE, PËRPARËSI NË BALLKAN

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, deklaroi gjatë vizitës në Tiranë se Mbretëria e Bashkuar do të jetë më e pranishme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Nëse Ballkani Perëndimor ia del mban, atëherë Evropa ia del mbanë. Në rast se ka probleme në Ballkanin Perëndimor, atëherë ka probleme dhe në Evropë, sepse në fakt është në interesin tonë të përbashkët që të ndihmojmë në procesin e pajtimit, rritjes ekonomike, dhe të mirëkuptimit dhe për mua kjo është përparësi”, tha Cameron.

Në deklaratën e përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, zyrtari britanik foli për projekte të rëndësishme mes të cilave edhe financimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

“Kemi projekte shumë emocionuese, si për shembull hekurudha që ju shpjeguat, pra nga Prishtina në Durrës, që do të jetë shumë, shumë e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe për të gjithë rajonin”, tha kryediplomati britanik.

Ndërkaq, kryeministri Rama tha se vizita e Cameronit do t’i shërbejë jo vetëm thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe shtimit të pranisë së Mbretërisë së Bashkuar në rajon.

“Mbretëria e Bashkuar synon të jetë më e pranishme në rajonin tonë dhe dëshiroj të theksoj se kemi folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik me një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, për Kosovën, por edhe për rajonin që është hekurudha Durrës- Prishtinë. Kjo hekurudhë është një element kyç i projektit të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes, jo vetëm mes dy vendeve tona, por në rajon dhe më gjerë, duke pasur parasysh që së shpejti ne hapim garën ndërkombëtare për Portin e Ri Tregtar të Durrësit. Jemi në pritje të përgjigjes përfundimtare te NATO-s për krahun ushtarak të portit të Durrësit dhe njëkohësisht siç jeni të informuar edhe Kosova do të ndërtojë një Port të Thatë në Prishtinë”, tha Rama.

Ai gjithashtu theksoi se kanë diskutuar edhe për ecurinë e proceseve të pajtimit dhe të bashkëpunimit në rajon.

Rama tha se Mbretëria e Bashkuar ka shprehur vazhdimisht interes të veçantë për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve rajonale dhe për të parë përfundimin me sukses edhe të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas kryeministrit të Shqipërisë, në këtë proces ka pasur hapa pozitive, po ka edhe ngecje në vend apo siç tha ai, “në vijimësi ndihet edhe rreziku i kthimit prapa”.

Cameron dhe Rama diskutuan edhe për projektin e përbashkët të luftës kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore dhe rezultateve të arritura. Ata thanë se ky operacion do të vazhdojë dhe gatishmëria në dekurajimin e flukseve të këtij trafiku do të jetë maksimale.

SHARE