BANKA BOTËRORE MBËSHTET KOSOVËN ME 50.6 MILIONË EURO

Ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Hekuran Murati, dhe Zëvendëspresidentja e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Anna Bjerde, nënshkruan në Uashington, Marrëveshjen për Financim për Operacionin e Financimit të Politikave Zhvillimore për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshme. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ka marrë pjesë edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti. Ky financim, në shumën prej 50.6 milionë euro mbështet prioritete të përzgjedhura shtetërore për periudhën 2021-2025, duke përfshirë reforma për të mbështetur transparencën fiskale, zhvillimin e sektorit privat, dhe forcimin e qëndrueshmërisë mjedisore në vazhdën e krizës së COVID-19. “Kosova ka nevojë për rritje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme, që krijon vende pune dhe nxitet nga produktiviteti më i lartë, dhe reformat e mbështetura nga ky operacion do ta mbështesin Kosovën në përforcimin e rimëkëmbjes pas COVID-19 dhe përmirësimin e jetës së njerëzve të saj”, tha Anna Bjerde, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore. Ndryshe ekonomia e Kosovës përjetoi një rimëkëmbje të fuqishme në vitin 2021, mbështetur nga rikthimi i kërkesës së brendshme dhe rritja rekorde e eksporteve, edhe pse rritja pritet të ngadalësohet këtë vit.

SHARE