SELIA E SHENJTË MBËSHTET MALIN E ZI NË PËRPJEKJET E TIJ PËR T’U BËRË ANËTAR I BASHKIMIT EVROPIAN

Ministri i Punëve të Jashtme, Filip Ivanoviq, ka pritur në takim sekretarin për marrëdhënie me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare të Selisë së Shenjtë, Imzot Paul Richard Gallagher, i cili ndodhet për një vizitë katër ditore në Mal të Zi.

“Mali i Zi, si një shtet vërtet multietnik, multikonfesional dhe multikulturor, i është përkushtuar mbrojtjes dhe valorizimit të traditave shpirtërore dhe kulturore të të gjitha bashkësive fetare. Ne e vlerësojmë shumë reputacionin, përkushtimin dhe rolin konstruktiv të Selisë së Shenjtë në zgjidhjen e çështjeve të ndryshme politike, ekonomike, sociale dhe të tjera në nivel global”, tha ministri, duke vlerësuar se vizita e Imzot Gallagher është dëshmi e përkushtimit të ndërsjellë për të ushqyer dialogun në një nivel të lartë.

Imzot Gallagher tha se vizita e tij e parë në Mal të Zi me ftesë të ministrit Ivanoviq, si dhe biseda shumë domethënëse që ata zhvilluan, janë konfirmim i lidhjeve, bashkëpunimit dhe miqësisë që ekziston mes Malit të Zi dhe Selisë së Shenjtë.

Gallagher gjithashtu theksoi se Selia e Shenjtë mbështet Malin e Zi në përpjekjet e tij për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Bashkëbiseduesit u pajtuan se një segment shumë i rëndësishëm i marrëdhënieve është bashkëpunimi në fushën e kulturës.

“Ne përpiqemi të valorizojmë lidhjet e thella historike dhe trashëgiminë e pasur kulturore që përshkon ato lidhje dhe në këtë kontekst bashkëpunimi i arritur nga Arkivi ynë Shtetëror dhe Instituti Historik me Arkivin e Vatikanit është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha ministri Ivanoviq.

Në takim u diskutua edhe për rolin aktiv të Selisë së Shenjtë si vëzhguese e përhershme në OKB dhe kandidaturën e Malit të Zi për anëtar jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2026-2027.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për krizat aktuale globale dhe rëndësinë e punës së përbashkët për forcimin e solidaritetit, dialogut dhe mbrojtjen e respektimit të të drejtave të njeriut.

SHARE