DUKAJ: TRANSFORMIMI DIGJITAL DUHET TË NDJEKË ZHVILLIMIN E TEKNOLOGJISË

Transformimi digjital duhet të ndjekë ritmin e zhvillimit të teknologjive digjitale dhe që ai të zbatohet duhet të ketë një bazë të mirë në infrastrukturë, kornizë normative dhe institucionale, tha ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.

Ai këtë e tha në seancën konstituive të Trupit Koordinues për Menaxhimin e Procesit të Transformimit Digjital, që u organizua sot nga Ministria e Administratës Publike.

Dukaj, siç njofton Ministria e Administratës Publike, theksoi se themelimi i Trupit Koordinues, si ekip punues, është paraparë në Strategjinë e Transformimit Digjital të Malit të Zi nga viti 2022 deri në vitin 2026, me qëllim strategjik të rritjes së kapaciteteve dhe aftësive për transformimin digjital në Mal të Zi.

Dukaj theksoi se fokusi i Trupit Koordinues është mbikëqyrja e dinamikës së zbatimit të Strategjisë së Transformimit Digjital dhe Planeve të Veprimit shoqërues.

“Procesi i transformimit digjital duhet të ndjekë ritmet e zhvillimit të teknologjive digjitale dhe që ai të zbatohet duhet të ketë një bazë të mirë në infrastrukturë, në kuadrin normativ dhe institucional, në sistemin arsimor, por edhe në një model cilësor të menaxhimit digjital”, tha Dukaj.

Ministria e Administratës Publike njoftoi se në seancë është prezantuar koncepti i hartimit të Udhëzuesit për procedurat administrative të Qeverisë, shërbimet që zhvillohen në kuadër të projektit “Shërbimet elektronike dhe infrastruktura digjitale në përgjigje të Covid19”, financuar nga Bashkimi Evropian, dhe zbatuar nga UNDP-ja në partneritet me MAP.

“Udhëzuesit e procedurave administrative, të cilat janë baza e digjitalizimit, do të japin informacion të detajuar për të gjitha procedurat që nuk janë të brendshme,  duke bërë të mundur që informacioni për të gjitha format dhe rrjedhat e nevojshme të procedurave administrative të jetë i disponueshëm në një vend”, deklaroi Ministria.

SHARE