QEVERIA KËRKON TË NDALOJË PIKAT E BASTEVE PRANË SHKOLLAVE

Trupi i ri koordinues për mbrojtjen dhe promovimin e interesit publik në fushën e lojërave të fatit do të synojë mbrojtjen e fëmijëve nga efektet e dëmshme të atij sektori.

Kështu tha në konferencën e sotme për media zëvendëskryeministri për Sistemin Politik, Drejtësinë dhe Antikorrupsionin, Momo Koprivica.

Koprivica njoftoi se pjesë e trupit koordinues do të jenë edhe tre zëvendëskryeministra.

Ai tha se duan që fëmijët të plotësojnë ditën me pesa, jo xhepat me plot bileta.

“Ne duam që fëmijët të shkojnë në stërvitje dhe në folklor, që të mos vendosen më pika bastesh aty pranë, që varësia të parandalohet, të mos inkurajohet dhe të sanksionohet kushdo që shkel ligjin. Të hiqen të gjitha terminalet nga kafeneja sepse jemi dëshmitarë që po shkelet ligji. Paratë duhet të derdhen në buxhetin e shtetit dhe jo në xhepat e individëve të privilegjuar. Në vitet e fundit shteti ka humbur dhjetëra milionë euro, pa përmendur abuzimin me fëmijët dhe të miturit”, beson Koprivica.

Sipas tij, më parë nuk ka pasur kontroll apo mbikëqyrje në këtë fushë, ndaj ka ardhur koha që t’i jepet fund kësaj.

“Të dhënat alarmante në vitin 2019 janë se 9.6 për qind e nxënësve të shkollave fillore shkojnë në pika bastesh dhe se 33.4 për qind e nxënësve të shkollave të mesme edhe i vizitojnë ato. Mund të mendoni se të dhënat janë alarmante vetëm tani, kur ishin kështu para pesë vitesh”, paralajmëroi Koprivica.

Ai shtoi se do të punojë në analizat e kësaj çështjeje dhe do të merret me luftën kundër basteve në të cilat marrin pjesë fëmijët.

“Përkundër ndalimit ligjor, pranë shkollave ka kazino dhe bastore. Do të kemi mekanizëm për ta parandaluar. Do të ketë punë për policinë dhe prokurorinë e shtetit”, ka theksuar Koprivica.

SHARE