PËRZGJEDHJA E AMBASADORËVE DUHET TË JETË CILËSORE DHE PROFESIONALE

Përzgjedhja e ambasadorëve duhet të jetë një proces cilësor dhe profesional, dhe qëllimi i Qeverisë dhe Presidentit të Shtetit është që zgjidhjet e personelit të jenë ato që do të përfaqësojnë në mënyrë cilësore interesat e Malit të Zi në vendet e tjera.

Ky ishte konkludimi i konsultimeve për politikën e jashtme të mbajtur sot nga presidenti i shtetit Jakov Millatoviq, kryeministri Millojko Spajiq dhe ministri i jashtëm Fillip Ivanoviq.

Në deklaratën e përbashkët të Presidentit dhe Qeverisë, thuhet se vazhdimi i diskutimeve dhe vendimmarrjes për këtë temë do të vijojë në një procedurë të mëtejshme, pasi Presidenti i Shtetit të jetë njohur plotësisht me propozimet e paraqitura.

Ata rikujtojnë se konsultimet e Presidentit me përfaqësuesit e qeverisë janë të një rëndësie jetike për politikën e jashtme të Malit të Zi, veçanërisht duke pasur parasysh se është e nevojshme përshpejtimi i procesit të integrimit në BE, forcimi i pozitës në aleancën e NATO-s dhe intensifikimi i bashkëpunimit rajonal.

„Gjithashtu, një nga temat e konsultimeve të sotme ka qenë edhe koordinimi i institucioneve në periudhën e ardhshme për qëllimet e jashtme dhe ngjarjet ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Në takim, Ministria e Punëve të Jashtme u ngarkua me përgatitjen e informacionit për kandidaturën e Malit të Zi për anëtar jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 2026 dhe 2027.

Konsultimet në ndërtesën e Presidencës kanë zgjatur rreth dy orë dhe Ivanoviq shkurtimisht u ka thënë gazetarëve se takimi ka qenë konstruktiv.

Të rikujtojmë se Mali i Zi nuk ka ambasadorë në më shumë se 75 për qind të ambasadave, por nuk ka as shefa të misioneve në Kombet e Bashkuara (OKB) në Nju Jork dhe NATO në Bruksel.

SHARE