NXËNËSIT JANË KTHYER NË SHKOLLË, MËSIMDHËNËSIT DO TË KENË PAGA MË TË LARTA NGA KORRIKU

Mësimi në shkollat ​​e Malit të Zi ka rifilluar sot, pasi Sindikata e Arsimit ka marrë vendim për ndërprerjen e grevës mbrëmë.

Bordi Kryesor i Sindikatës së Arsimit pranoi marrëveshjen me Qeverinë për rritjen e pagave të mësimdhënësve.

Sipas marrëveshjes, pagat e mësimdhënësve do të rriten me dhjetë për qind bruto nga 1 korriku, ndërsa nga fillimi i vitit shkollor rritja kumulative do të jetë së paku 17 për qind neto.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit Radomir Bozhoviq tha në konferencën për shtyp se Bordi Kryesor i Sindikatës së Arsimit e ka pranuar marrëveshjen në një seancë elektronike dhe se pret që ajo të nënshkruhet sot ose nesër.

Siç tha ai, 43 anëtarë të Bordit Kryesor të Sindikatës së Arsimit votuan për pranimin e marrëveshjes, 2 anëtarë ishin kundër dhe 1 abstenoi.

Bozhoviq tha se nga 1 korriku do të ketë rritje dhjetë për qind të koeficientit për të gjithë të punësuarit në arsim.

“Ka pasur dezinformata se personeli jo-mësimdhënës nuk do të ketë rritje, dhe kjo është absolutisht e pavërtetë”, tha Bozhoviq.

Ai shpjegoi se nga 1 shtatori do të ketë një rritje të re neto.

“Qeveria nuk e ka specifikuar se si do ta bëjë këtë, nëse do të bëhet ekskluzivisht me një rritje neto, të ngjashme me „Evropa Tani 1“, apo përsëri përmes koeficientëve. Por, kur të dyja rritjet të shndërrohen në neto, në propozimin e marrëveshjes thuhet se nga 1 shtatori do të kemi të paktën 17 për qind rritje”, tha Bozhoviq.

Ai theksoi se me rritjen e parë “mbulojnë” të paktën një pjesë të këtij viti, të cilën e kishin me Marrëveshjen Kolektive të Degës së mëparshme.

SHARE