MIRATOHET MARRËVESHJA PËR EMIGRANTËT ME ITALINË, RAMA: VEPRUAM SI VEND ANËTAR I BE-së

Me efektin në sfond të bilbilave të opozitës, në një seancë që zgjati plot 7 minuta e 39 sekonda parlamenti miratoi marrëveshjen me Italinë për azilkërkuesit.

Votat me socialistët për këtë dokument i bashkuan dhe tre deputetë të PDIU-së.

“Janë dhe tre zotërinjtë e PDIU-së atje në fund”, tha Lindita Nikolla.

Kryeministri, i cili nuk ishte në seancën e kësaj të enjteje e përshëndeti miratimin e marrëveshjes përmes një postimi dhe argumenton përse ky dokument ka rëndësi për çështjen që është problemi më madhor i kontinentit europian, emigracioni i paligjshëm.

“Shqipëria po qëndron së bashku me Italinë duke zgjedhur të veprojë si një vend anëtar i BE-së dhe duke rënë dakord të ndajë një barrë që Europa duhet të përballojë e bashkuar si një familje e tërë përballë një sfide të guximshme që kapërcen ndarjet tradicionale të majta dhe të djathta. Duke punuar së bashku për të gjetur përgjigjet e duhura, në vend që ta përdorni këtë çështje si lëndë djegëse për grindjet e brendshme politike që vetëm sa rrit ankthin mes njerëzve të kontinentit tonë të përbashkët dhe e bën të ardhmen tonë kolektive më të pasigurt“, tha Rama.

Pas miratimit në parlament tani pritet dhe dekreti i Presidentit që do t’i hapë rrugë nisjes së ndërtimit të kampit të Gjadrit. Edhe Italia e ka miratuar dokumentin në të dyja dhomat e parlamentit. 

Sipas dokumentit të bashkëfirmosur nga Rama dhe Meloni në portin e Shëngjinit do të jetë qendra pritëse ku do të regjistrohen kërkesat e azilkërkuesve nga vendet e treta, ndërsa në Gjadër qendra ku do të vendosen jo më shumë se 3 mijë azikërkues në të njëjtën kohë derisa të shqyrtohet kërkesa e bërë ndaj shtetit italian për azil.

SHARE