10 VIKTIMA NGA STUHIA E DËBORËS NË SHBA

Foto: Tv Klan

Një stuhi e madhe bore ka paralizuar një pjesë të madhe të jugut të SHBA-së. Dhjetë persona mendohet se kanë vdekur, si pasojë e hipotermisë dhe aksidenteve rrugore. Bora ka mbyllur autostradat dhe aeroportet në Teksas, ndërsa nën paralajmërim për stuhi tepër të rrezikshme është edhe Luiziana jugperëndimore.

Guvernatorët e disa shteteve, përfshirë Luizianën, Misisipin dhe Alabamën, kanë shpallur gjithashtu gjendje të jashtëzakonshme si përgjigje ndaj të ftohtit të pazakontë.

Një paralajmërim për stuhi dëbore është në fuqi për 40 milionë njerëz, nga Teksasi jugor në lindje e deri në Xhorxhia dhe deri në Karolinën e veriut dhe në Virxhinia sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.

Rreth 30,000 shtëpi dhe biznese në Teksasin juglindor kanë mbetur pa energji elektrike.

Ndërkaq edhe veriu i SHBA-së është ende nën pushtetin e borës. Më shumë se 2,200 fluturime brenda SHBA-së u anuluan dhe 3,000 të tjera u vonuan. New York është nën paralajmërim për ngrica dhe stuhi të rrezikshme.

Shkollat, bizneset dhe një pjesë e madhe e autostradave janë mbyllur për shkak të ngricave dhe temperaturave ekstrem të ulëta. Guvernatorja e New Yorkut, Kathy Hochul njoftoi se ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa komunitetet përballen me borën e madhe dhe të ftohtin ekstrem.

Gjithashtu edhe Kanadaja është përfshirë nga i ftohti ekstrem. Nën paralajmërim për të ftohtë ekstrem janë provincat e Ontarios dhe Quebec shoqëruar me erë të ftohtë dhe temperatura deri në -50 gradë Celcius në disa zona.

SHARE