KLUBI „BESA“ FITOI TRI MEDALJE NË SARAJEVË, BERISHAJ SËRISH MEDALJEN E ARTË

Anëtarja e klubit Taekwondo-s „Besa“, Angjella Berishaj, fitoi medalje të artë në turneun ndërkombëtar G2 Bosnja e Hercegovina Open në Sarajevë. Berishaj pas tri triumfeve bindëse ndaj përfaqësueseve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë, fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 68 kilogramë. Paraqitjen e suksesshme të Besës në Sarajevë e plotësuan juniorët Benan Jusufgjokaj (deri në 51) dhe Aurora Vulaj (deri në 63), duke fituar medalje bronzi. “Jusufgjokaj ka zënë vendin e tretë edhe pse ka udhëhequr deri në fund të ndeshjes gjysmëfinale. Ai humbi finalen për shkak të një gabimi të gjyqtarëve, të cilët nuk e panë pikën në tokë. Leo Gegaj është mposhtur në një përleshje dramatike me përfaqësuesen e Kroacisë”, ka thënë trajneri i Besës, Nikollë Gegaj. Ai theksoi se Andrea Berishaj (deri në 59) e kaloi raundin e parë ndaj britanikes, por në të dytin u ndalua nga përfaqësuesja e Koresë së Jugut. “Vulaj ishte në prag të finales, por në sekondat e fundit humbi ndeshjen gjysmëfinale dhe u mjaftua me medalje bronzi”, tha Gegaj. Turneu dy-ditor në Hotel Hills të Sarajevës mblodhi së bashku 630 garues nga 38 vende. Anëtarët e klubit Taekwondo „Besa“ fituan tre medalje në forma, në ditën e dytë të turneut ndërkombëtar G2 Bosnja e Hercegovina Open në Sarajevë. Medaljen e artë e fitoi Toni Marashaj në disiplinën e seniorëve S2 dhe u shpall edhe seniori më i suksesshëm i turneut. Po ashtu, Nikolla Junçaj fitoi medaljen e artë në konkurrencën e seniorëve S3, ndërsa Adelina Salihaj në garën e seniorëve zuri vendin e dytë.

SHARE