BORA E PARË KA RËNË SOT NË ZHABLAK

Pas stuhisë dhe reshjeve të dendura të shiut që ka përfshirë Malin e Zi ditët e kaluara, në Zhablak kanë mbërritur fjollat e para të borës. Lartësia e mbulesës së borës e matur sot në mëngjes në orën 8 është dy centimetra. Të rikujtojmë se një stuhi e fortë goditi Malin e Zi gjatë fundjavës. Si pasojë e erës së fortë dhe reshjeve të shumta kanë ndodhur përmbytje, si dhe janë shkaktuar edhe dëme materiale. Në veri, lumenj të shumtë u vërshuan dhe u regjistrua një rritje më e madhe e nivelit të Moraçës – në vetëm 24 orë u rrit me 4.8 metra. Gjatë natës të së shtunës dhe të dielës, më së shumti shi ka rënë në Kollashin, 185 litra për metër katror, në Herceg Novi 138 litra për metër katror dhe në Nikshiq 102 litra për metër katror. Shiu i dendur dhe rrugët e përmbytura nuk e ka anashkaluar as Malësinë duke bërë dje të pa qarkullueshme rrugën Milesh-Dinoshë.

SHARE