MERZ PROPOZON: BALLKANI PERËNDIMOR SI VËZHGUES NË BE, UKRAINA SI ANËTARE E ASOCIUAR

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka propozuar një qasje të re për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke synuar përshpejtimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Moldavisë dhe Ukrainës.

Sipas propozimit të tij, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia duhet të marrin statusin e vëzhguesit në institucionet e BE-së, si dhe qasje më të gjerë në tregun e përbashkët dhe në proceset vendimmarrëse, pa të drejtë vote.

Qëllimi është integrim gradual dhe më i shpejtë në Bashkimin Evropian përmes pjesëmarrjes më të afërt në punën e institucioneve.

Për Ukrainën, Merz propozon një status të veçantë si “anëtare e asociuar pa të drejtë vote”, që do t’i lejonte pjesëmarrje në disa takime dhe institucione të BE-së, si dhe zbatim gradual të ligjeve evropiane, duke ruajtur paralelisht procesin formal të anëtarësimit.

Ai thekson se procesi i zgjerimit të BE-së po zgjat shumë dhe kjo po shkakton pakënaqësi si te vendet kandidate ashtu edhe te shtetet anëtare, prandaj nevojitet një “dinamikë e re” dhe zgjidhje inovative.

Merz gjithashtu nënvizon se qëllimi strategjik mbetet i njëjtë: përfshirja e plotë e vendeve kandidate në BE, në përputhje me kriteret e Kopenhagës dhe Agjendën e Selanikut, duke e quajtur këtë proces një mënyrë për ta “plotësuar Bashkimin Evropian”.

SHARE