TRUPA SHTESË NGA BULLGARIA E SLLOVENIA NË KOSOVË

Bullgaria dhe Sllovenia janë shtetet e rradhës që kanë vendosur që të forcojnë praninë e tyre në misionin paqeruajtës të NATO-s (KFOR) në Kosovë. Në Bullgari u organizua dërgimi ceremonial i një kontingjenti ushtarak prej 100 ushtarësh, i cili do të forcojë më tej misionin e NATO-s në Kosovë.

Kryeministri slloven Robert Golob pas bisedës me shefin e NATO-s Stoltenberg nuk dha numrin e ushtarëve shtesë, po konfirmoi se vendi i tij do të dërgojë trupa shtesë në muajt në vijim në Kosovë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përshëndeti përpjekjet e Sllovenisë për të forcuar praninë e saj në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë dhe Metohi (KFOR) dhe për të rritur ndarjet e saj të mbrojtjes.

Jens Stoltenberg: Ne diskutuam për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për interesat tona si alencë. Incidentet e herëpasherëshme në Kosovë janë të papranueshme ndaj NATO ka vepruar menjëherë duke dërguar mijëra ushtarë shtesë atje. Ne kemi dhënë siguri të plotë që KFOR do të ushtrojë në kapacitet të plotë mandatin e dhënë nga Kombet e Bashkuara.

Robert Golob: Për Slloveninë është jetike që të mbrohet stabiliteti i rajonit tonë. Vitet e fundit tensionet janë shtuar. Për të siguruar paqen në Kosovë në shprehëm gatishmërinë për të dërguar ushtarë shtesë sllovenë për t’i ndihmuar autoritetet lokale në këtë drejtim. KFOR është duke luajtur një rol të qenësishëm po ashtu.

Më shumë se 4500 ushtarë nga 28 vende të botës shërbejnë aktualisht në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR. Më shumë se gjysma e këtyre forcave ushtarake janë nga Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria dhe Turqia.

NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe. Edhe Shqipëria vendosi të shtyjë deri në fund të vitit 2027 pjesëmarrjen e 100 ushtarëve të saj në misionin ushtarak ndërkombëtar KFOR në Kosovë.

KFOR-i ka ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë në rreth 25 vitet e fundit. Turqia mori komandën e Forcave të NATO-s në Kosovë KFOR tetorin e vitit të kaluar.

SHARE