SHBA “NË ALARM”: RUSIA DO SHKATËRROJË SATELITËT ME ARMË BËRTHAMORE

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të besojnë se Rusia do të tentojë të godasë kapacitetet e tyre në hapësirë, përmes zhvillimit të një arme bërthamore të cilën ta përdorë kundër satelitëve.

Një burim që foli në kushte anonimati, sqaroi se deri në çfarë niveli mund të mbërrijnë dëmet në një rast të tillë: goditja e kësaj arme, u shpreh ai, mund të shkatërrojnë gjithçka, që nga komunikimi ushtarak e deri tek shërbimet e komunikacionit. Ai u shpreh i bindur se sistemi rus përfshinte një pajisje bërthamore shpërthyese të vendosur në orbitë.

Presidenti Vladimir Putin tha vetëm një ditë më parë Rusia ishte kundër vendosjes së armëve bërthamore në hapësirë, ndërsa ministri i tij i mbrojtjes mohoi kategorikisht njoftimet se Moska po zhvillon aftësi bërthamore për përdorim në hapësirë. Shtëpia e Bardhë dhe Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtarë nuk kanë bërë asnjë koment publik mbi çështjen.

Njoftimet rreth zhvillimit të mundshëm të armëve bërthamore hapësinore ruse dolën në pah pasi kryetari republikan i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Mike Turner, lëshoi më herët një deklaratë duke paralajmëruar për një “kërcënim serioz të sigurisë kombëtare”.

Shtetet e Bashkuara besojnë se sistemi që po zhvillohet nga Rusia do të shkelte një traktat që ndalon dislokimin në hapësirë të armëve të shkatërrimit në masë. Traktati i vitit 1967 i ndalon vendet nënshkruese, përfshirë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, që të vendosin “në orbitë rreth tokës çdo objekt që mban armë bërthamore ose çfarëdo lloj armësh të shkatërrimit në masë”.

SHARE