MILLATOVIQ: ËSHTË E RËNDËSISHME QË FËMIJËT TË KTHEHEN NË SHKOLLË SA MË SHPEJT TË JETË E MUNDUR

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, sot në mëngjes ka pritur përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit të Malit të Zi, pas një kërkese që ata i kanë dërguar Kabinetit javën e kaluar.

Siç njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Millatoviqit, në takim është shprehur kënaqësia që Qeveria dhe Sindikata e Arsimit kanë bërë progres në negociata pas më shumë se tre muajsh.

“Presidenti Milatoviq tha se investimi i mjeteve në trajnimin e vazhdueshëm të të gjithë mësuesve dhe përmirësimin e statusit të tyre ekonomik dhe social është prioritet nëse duam një arsim më cilësor dhe se është e rëndësishme që fëmijët të kthehen në shkollë sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në njoftim.

Përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit falënderuan presidentin për mbrojtjen publike të së drejtës së tyre kushtetuese për grevë dhe apeluan se kjo është aktualisht çështja numër një në shoqërinë malazeze.

Të rikujtojmë se paraditen e sotme Qeveria i ka dorëzuar Sindikatës së Arsimit një marrëveshje, në bazë të marrëveshjes së djeshme, sipas së cilës pagat e mësimdhënësve do të rriten me 10 për qind bruto nga 1 korriku, ndërsa nga fillimi i vitit shkollor rritja kumulative do të arrijë në 17 për qind neto. Dokumentin e nënshkroi kryeministri Millojko Spajiq.

SHARE