Përtypja e ushqimit është ndër gjërat kryesore që duhet pasur parasysh gjatë të ushqyerit. Ajo është thelbësore për një tretje sa më adekuate, ndërsa në mungesë të saj, trupi mund të përballet me probleme serioze, shkruan “Intestinal” të mërkurën.
Por, fillimisht duhet nisur me tretjen. Përtypja është hapi i parë drejt tretjes së ushqimit. Ajo e ndihmon stomakun ta përpunojë ushqimin duke i thyer grimcat e mëdha në pjesë më të vogla. Përtypja e rrit prodhimin e pështymës, në mënyrë që të gëlltitet pa rënduar ezofagun.
Nëse ushqimi nuk përtypet si duhet, grimcat më të mëdha mund të futen në traktin tretës, për të shkaktuar gazra, fryrje, kapsllëk, reaksione ushqimore, dhimbje koke dhe ulje të nivelit të energjisë.
Zbërthimi i ushqimit në grimca të vogla nënkupton se është më e lehtë për trupin të thithë sasi më të madhe të lëndëve ushqyese, si vitaminat dhe mineralet. Përtypja e tepërt stimulon rritjen dhe riparimin e indit epitelial.
Përtypja gjithashtu bën që zorrët të ushqehen shëndetshëm. Grimcat e ushqimit që nuk shpërbëhen siç duhet, mund të shkaktojnë rritje të baktereve në zorrë.
Kjo mund të shkaktojë edhe infektim të organeve të brendshme. Sipas studimeve, ushqimi para se të niset drejt lukthit, duhet të përtypet 32 herë.
Ato të fortat, si arrat, mishi, ëmbëlsirat, deri në 40 përtypje. Ndërsa, ushqimet e buta si patatja, mund të përtypen deri në 10 herë.