Kryeministri i Malit të Zi në mandatin teknik Dritan Abazoviq tha se pensionistët deri më tani nuk janë trajtuar drejt. Abazoviq në konferencën për shtyp njoftoi se 119 mijë pensionistë do të marrin shtesë pensioni dhe se kjo është një e pesta e popullsisë. Pensionistët me pensionin më të ulët do të marrin 200 euro, me pensionin e mesëm 100 euro, ndërsa pensionistët me të ardhurat më të larta do të marrin 50 euro. Nëse buxheti për vitin 2023 miratohet, Abazoviq tha se mbi 50 mijë qytetarë mund të presin që më 1 shkurt të marrin të ardhura më të larta. Ministri i Financave Aleksandar Damjanoviq tha se kjo mënyrë u ndihmon grupeve më të cenueshme të popullsisë. “Pak veta u kushtuan vëmendje atyre (pensionistëve), kjo Qeveri i vuri në fokus. Do të ketë rritje të pensioneve, të cilat do të rregullohen tre herë vitin e ardhshëm. Pensionistët mund të llogarisin në atë që kemi premtuar, se do ta korrigjojmë faktin se programi „Evropa Tani“ i ka shkatërruar pensionistët”, tha Damjanoviq. Damjanoviq theksoi se në mënyrë shumë transparente janë ndarë 17 milionë euro për përfitime për pensionistët.