KURTI: KEMI DALLIME RRETH MARRËVESHJES PËR TË PAGJETURIT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Prishtina ka dallime konceptuale me Beogradin zyrtar lidhur me marrëveshjen për të pagjeturit. Gjatë një konference për media në Prishtinë, Kurti e pranoi se Kosova dhe Serbia kanë përafruar qëndrimet sa i përket marrëveshjes për të pagjeturit për të cilën po diskutohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Brukseli, por tha se Kosova insiston që të përdoret emërtimi “persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës”. “Beogradi zyrtar insiston të quhen vetëm persona të pagjetur, ne insistojmë të theksohet se kjo është bërë me forcë, është bërë me dhunë. Sepse ata nuk janë persona të pagjetur si shkak i fatkeqësive natyrore, por ne kemi familjarë që e dinë se personi i caktuar i uniformuar ose jo ua mori djalin ose vajzën. Pra, bëhet fjalë për rrëmbime, të cilët janë bërë me dhunë. Insistimi ynë është që të theksohet edhe kjo”, tha Kurti. Kurti foli edhe për mungesën e takimeve në nivel të lartë në kuadër të dialogut. Ai tha se gjatë kësaj jave ishte paraparë që të takohej me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por sipas tij, Serbia ka kërkuar që të shtyhet takimi.

SHARE