KE NDAN RRETH 160 MILIONË EURO PËR SHQIPËRINË, MAQEDONINË E VERIUT DHE MALIN E ZI NGA PLANI I RRITJES

Komisioni Evropian ka miratuar një pagesë të tretë prej gjithsej 158.9 milionë euro për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Nga kjo shumë, Shqipëria merr 49 milionë euro, Mali i Zi 44.2 milionë euro dhe Maqedonia e Veriut 65.7 milionë euro. Fondet janë dhënë pas vlerësimit pozitiv të reformave të zbatuara deri në fund të dhjetorit 2025, kryesisht në fushat e konkurrueshmërisë, inovacionit, arsimit dhe digjitalizimit.

Një pjesë e fondeve shkon direkt në buxhetet shtetërore, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për projekte investimi përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, në fusha si infrastruktura, energjia e pastër dhe zhvillimi digjital.

Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor (2024–2027) ka një vlerë totale prej 6 miliardë euro dhe synon përshpejtimin e integrimit në tregun e përbashkët evropian dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.

Sa i përket vendeve të tjera, Bosnja dhe Hercegovina nuk ka marrë ende asnjë pagesë për shkak të mungesës së reformave të miratuara, Kosova ka marrë parafinancimin por ka vonesa në reformat e nevojshme për pagesat e radhës, ndërsa Serbia ka marrë një pagesë pjesore, por po vlerësohet për përmbushjen e kritereve të mëtejshme.

SHARE