HOXHA: AVANCIM I PROJEKTEVE NDËRKUFITARE ME MALIN E ZI

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka theksuar rëndësinë e forcimit të projekteve ndërkufitare me Malin e Zi, gjatë një takimi në Tiranë me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm malazez, Ervin Ibrahimoviq.

Ai vuri në dukje projekte si ura mbi lumin Buna, hekurudha Podgoricë–Hani i Hotit dhe pika e përbashkët kufitare Zogaj–Skje, duke i cilësuar si kyçe për zhvillimin ekonomik dhe lidhjen më të fortë mes dy vendeve.

Hoxha tha se Shqipëria dhe Mali i Zi, si vende aleate në NATO, synojnë të thellojnë bashkëpunimin përmes mekanizmave të përbashkët ndërqeveritarë dhe projekteve infrastrukturore që rrisin mirëqenien e qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të të drejtave të minoriteteve shqiptare në Mal të Zi dhe atyre malazeze në Shqipëri, duke i cilësuar si ura të rëndësishme bashkëpunimi mes dy shteteve.

Në fjalën e tij, ministri nënvizoi se të dy vendet janë në pararojë të procesit të zgjerimit të BE-së dhe se çdo progres i Malit të Zi në këtë rrugë është i dobishëm për të gjithë rajonin.

Sipas tij, Shqipëria dhe Mali i Zi do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen reciproke në procesin e integrimit evropian, me synimin për t’u bërë së shpejti pjesë e Bashkimit Evropian.

SHARE