HAXHIU THIRRJE PËR KONSENSUS: KOSOVA TË SHMANGË ZGJEDHJET E JASHTËZAKONSHME

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për arritjen e një konsensusi ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Kjo javë është vendimtare. Uroj që të nisë me takime ndërmjet partive politike. Nuk kanë mbetur edhe shumë ditë. Por, në qoftë se ka vullnet, mund të kryhet brenda shumë pak orësh”, tha Haxhiu për media gjatë vizitës në Akademinë Përkujtimore me rastin e Ditës së Veteranëve të Betejës së Koshares. Haxhiu tha se nuk është përgjegjëse për të ftuar partitë politike në takime, duke theksuar se këto ftesa po bëhen nga kryeministri Albin Kurti, si lider i partisë në pushtet.

Ajo u bëri thirrje partive që t’u përgjigjen pozitivisht ftesave të Kurtit, duke shtuar se takimet mund të ndihmojnë në arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së ardhshme. Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja, Haxhiu tha se kjo nuk është në interes të vendit.

“Mendoj që është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kemi shumë punë para vetes, jo vetëm për së brendshmi, por po ashtu edhe për zhvillimet jashtë vendit tonë”, shtoi ajo.

Ajo tha se qytetarët nuk i duan zgjedhjet në këtë moment, duke rikujtuar se zgjedhjet e fundit janë mbajtur pak muaj më parë, në dhjetor. Në këtë kontekst, Haxhiu u bëri thirrje partive politike që të bashkohen për zgjedhjen e presidentit.

SHARE