RUSIA U JEP ULTIMATUM TË RI MBROJTËSVE TË MARIUPOLIT

Ministria ruse e Mbrojtjes u ka dhënë luftëtarëve ukrainas, të cilët ndodhen në një kompleks industrial në qytetin e rrethuar të Mariupolit, një ultimatum të ri për t’i dorëzuar armët. “Forcat e armatosura ruse, të bazuara thjesht në parimet humanitare, propozojnë sërish që luftëtarët e batalioneve nacionaliste dhe mercenarët e huaj të ndërpresin operacionet e tyre ushtarake nga 14.00 me orën e Moskës më 20 prill dhe të dorëzojnë armët”, tha Ministria e Mbrojtjes ruse. Asnjë ushtar i vetëm ukrainas nuk pranoi këtë thirrje të martën, tha ministria në një deklaratë. Luftëtarët e mbështetur nga Rusia thuhet se po përpiqen të sulmojnë fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, ku po qëndrojnë trupat ukrainase dhe civilët. Në një postim në Telegram, Këshilli Bashkiak i Mariupolit tha se pavarësisht avantazhit të trupave të shumta ruse në qytet, ata ende nuk kanë mundur të marrin Mariupolin dhe kështu “ata duan të rrafshojnë” fabrikën e çelikut. Më tej u tha se Rusia nuk ndali ofensivën pavarësisht faktit që civilët po strehohen gjithashtu në atë kompleks.

SHARE