MILLATOVIQ KA MBËSHTETUR SHUMICËN E KANDIDATËVE PËR AMBASADORË, KËRKON KONSULTIME PËR KATËR PREJ TYRE

Sot në ndërtesën e Presidencës është mbajtur takimi i presidentit të Malit të Zi Jakov Millatoviq me ministrin e Punëve të Jashtme Filip Ivanoviq për emërimin e ambasadorëve të rinj.

Pas takimit, nga Kabineti i Presidentit u njoftua se Millatoviq në parim i ka përkrahur propozimet e diplomatëve me karrierë dhe ka kërkuar shqyrtimin e katër propozimeve politike.

“Kreu i Shtetit Jakov Millatoviq e informoi sot ministrin e Punëve të Jashtme Filip Ivanoviq se pajtohet me propozimin e emrave të shumicës së kandidatëve për ambasadorë dhe shefa të misioneve të tjera diplomatike, të cilat i kanë paraqitur kryeministri dhe ministri në konsultimet e zhvilluara më parë për politikën e jashtme,” thuhet në njoftim.

Pas bisedimeve dhe prezantimit të detajuar të biografive të 16 kandidatëve, siç ishte theksuar, Millatoviq u pajtua në parim me të shtatë propozimet e diplomatëve me karrierë, por kërkoi konsultime shtesë për katër nga nëntë emërimet politike të propozuara më parë, për të siguruar plotësimin cilësor të pozitave vakante që ishin objekt i raundit të parë të konsultimeve për politikën e jashtme.

“Duke pasur parasysh që ministri dhe kryeministri propozuan zgjidhje personeli për një pjesë të rrjetit të DKP-së në raundin e parë të konsultimeve për politikën e jashtme, Presidenti i vendit pret që së shpejti të rifillojnë aktivitetet për të plotësuar sa më shpejt të gjitha pozitat drejtuese në përfaqësitë diplomatike malazeze”, thuhet në njoftim.

Ligji për Punë të Jashtme parasheh që propozimin për emërimin e ambasadorit e bën Qeveria me propozim të shefit të diplomacisë.

SHARE