SHBA, PËR HERË TË PARË THIRRJE PËR ARMËPUSHIM NË GAZA / DËRGON NJË PROPOZIMIN NË OKB

Shtetet e Bashkuara përmendin për të parën herë fjalën “armëpushim” për Rripin e Gazës. Armëpushimi përmendet në një propozim të ri që i është dërguar për diskutim Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku i bëhet thirrje Izraelit të mos nisë sulmin tokësor në Rafah.

Propozimi amerikan që do të diskutohet këtë javë në Këshillin e Sigurimit, bën thirrje që armëpushimi i përkohshëm të nisë sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa ngre shqetësimin se nisja e një sulmi tokësor në Rafah nga Izraeli mund të shtojë ndjeshëm numrin e viktimave mes 1.5 milionë civilëve palestinezë të strehuar atje nga të katër anët e Rripit të Gazës.

Propozimi amerikan po ashtu ngre shqetësimin se sulmi do të nxisë një eksod masiv të palestinezëve drejt Egjiptit, çka mund të shkaktojë përhapjen e tensioneve në rajon.

Në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara e kanë shmangur fjalën “armëpushim” në thirrjet e tyre për uljen e tensioneve. Është ende e paqartë se kur do të votohet rezoluta, që megjithatë nuk ka fuqi detyruese.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë më herët çdo propozim për të ndalur planin për sulm në Rafah, ndërsa qeveria e tij i ka lënë afat Hamasit deri më 10 Mars, që të lirojë pengjet për të shmangur përballjen me sulmin tokësor izraelit në Rafah.

SHARE