ODIHR: PAQARTËSITË LIGJORE MINOJNË EFEKTIVITETIN E PROCESEVE ZGJEDHORE

Ekspertët zgjedhorë të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) thanë në raportet e tyre përfundimtare se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe presidenciale në Mal të Zi u zhvilluan mirë, por se u vërejtën mangësi – paqartësitë e shumta në kuadrin ligjor minojnë efektivitetin e proceset zgjedhore dhe kërkon shqyrtim dhe rishikim thelbësor.

Ekspertët zgjedhorë të ODIHR prezantuan raportet përfundimtare dhe rekomandimet e misioneve vëzhguese për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të vitit 2023 si dhe për zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, gjatë vizitës së tyre në Podgoricë nga 6 deri më 9 shkurt.

“Zgjedhjet e vitit të kaluar u zhvilluan mirë dhe kandidatët mundën të bënin fushatë të lirë, por ato u zhvilluan në një krizë kushtetuese dhe institucionale dhe për fat të keq ne ishim dëshmitarë të vendimmarrjes së motivuar politike nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për një sërë vendimesh kyçe,“ tha kreu i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve në zgjedhjet presidenciale të ODIHR-it, Tamash Mezeriç.

ODIHR shfrytëzoi rastin për të ritheksuar se të dy proceset zgjedhore ishin konkurruese dhe të mirë-drejtuara, por se u vunë re disa mangësi. “Në kuadrin ligjor mbeten zbrazëtira dhe paqartësi të shumta, gjë që cenon efektivitetin e tij dhe kërkon shqyrtim dhe rishikim thelbësor”, thuhet në njoftim.

Ekspertët e ODIHR inkurajuan të gjithë aktorët zgjedhorë që të zbatojnë reforma gjithëpërfshirëse pas një procesi gjithëpërfshirës, ​​konsultativ dhe transparent.

SHARE