GAZA ZGJOHET E QETË PAS 15 MUAJSH LUFTIME

Foto: AA

Në Rripin e Gazës, mëngjesi i kësaj të hëne ishte ndër më të qetët në 15 muajt e fundit. Qindra mijëra banorë të shpërngulur po rikthehen në vendbanimet e tyre, por shumica ka gjetur vetëm rrënojat nga lufta shkatërrimtare.

“Falë Zotit, gjithçka duket mirë me këtë armëpushim. Deri tani nuk kam guximin të kthehem në Rafah, pasi im bir 30-vjeç ra dëshmor këtu në Khan Junuz ku kishim ardhur bashkë. Është e vështirë të kthehem tani pa të”.

Disa banorë e shohin armëpushimin si fitore të Hamasit.

“Për palestinezët kjo është fitore se arritëm t’i mbajmë pengjet, pavarësisht se armiqtë na shkatërruan shtëpitë, vranë njerëz të pafajshëm e fëmijë, por ata nuk i nxorrën dot nga Gaza pa u ulur në bisedime”.

Gjatë natës, 90 palestinezë që mbaheshin në burgjet izraelite u liruan si pjesë e marrëveshjes,disa orë pasi Hamas liroi 3 vajza që mbaheshin peng prej 7 Tetorit 2023. Këtë javë do të lirohen edhe 4 pengje të tjerë.

Marrëveshja parashikon që gjatë 6 javëve, fazës së parë të zbatimit të saj të lirohen edhe 30 pengje të tjerë izraelitë nga rreth 100 që janë aktualisht në duart e Hamasit, në këmbim të më shumë se 1800 të burgosurve të tjerë palestinezë.

Është rënë dakord që çdo peng izraelit të shkëmbehet me 30 të burgosur palestinezë.

SHARE