Një pesëshe diplomatike të premten vizituan Prishtinën dhe Beogradin. I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe ai i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kishin me vete edhe këshilltarët e presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz e kryeministres së Italisë Giorgia Meloni.
Vizita vjen për të shtyrë Kosovën e Serbinë drejt një marrëveshjeje mbi kornizat e planit të BE-së ose siç njihej plani franko – gjerman që Lajçak tha se kishte pritur më shumë mirëkuptim. “Ne kemi pritur kuptim më të mirë të mundësive që ofron ky propozim. Shpresoj të arrijmë atje, tek mirëkuptimi i plotë si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha Lajçak. Takimi zgjati më shumë se dy orë, por i dërguari i BE-së nuk dha detaje. “Qëllimi i takimit ishte të diskutojmë propozimin për normalizim që i kemi paraqitur në shtator e më pas në dhjetor. Kemi më shumë se dy orë në takim që do të thotë se takimi nuk ishte i lehtë, ishte i gjatë, por shumë i hapur dhe i sinqertë”, u shpreh Lajçak.
Pas vizitës në Prishtinë, emisarët ndërkombëtarë shkuan në Beograd, kanë zhvilluar takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, gjatë bisedimeve me diplomatët perëndimorë në Beograd, “tregoi qasje të përgjegjshme dhe vullnet për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane të Serbisë”. “Kemi pasur një diskutim intensiv, të vështirë, por edhe të hapur, dhe ndihemi të inkurajuar nga rezultati”, tha Lajçak. “Për ne, zbatimi në kohë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është element kyç për stabilitet dhe jemi të bindur se plani që kemi paraqitur në shtator, dhe që diskutuam sot, është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe integrimin e rajonit”, tha ai.