QEVERIA KA PARAQITUR KËRKESË PËR SHKURTIMIN E MANDATIT TË KUVENDIT

Qeveria e Malit të Zi ka paraqitur kërkesë për shkurtimin e mandatit të Kuvendit të Malit të Zi. Në kërkesën dërguar kryetarit të Kuvendit, Qeveria ka thënë se duhet të paraqesë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, për 4 shkurt të këtij viti. “Pas qëllimit të shprehur qartë të URA-s, PDS-së dhe satelitëve të saj për të zgjedhur një qeveri të re të pakicës në mënyrë jokushtetuese, bëhet e qartë se zgjedhjet e reja janë e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën më të vështirë politike në historinë e fundit të Malit të Zi”, ka shkruar në Twitter kryeministri Zdravko Krivokapiq. Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, mandati i Kuvendit mund të ndërpritet edhe para kohës për të cilën është zgjedhur me shpërndarjen ose shkurtimin e mandatit të Kuvendit, me propozim të Presidentit të Malit të Zi, Qeverisë ose së paku 25 deputetëve. Vendimi për shkurtimin e mandatit merret me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Në nenin 84 të Kushtetutës thuhet se mandati i Kuvendit zgjat katër vjet. Nëse Kuvendit i skadon mandati gjatë gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme, mandati i tij zgjatet më së shumti për 90 ditë pas përfundimit të rrethanave që e kanë shkaktuar atë gjendje të jashtëzakonshme.

SHARE