PESË TË VRARË NGA TË SHTËNAT NË TORONTO

Pesë persona janë vrarë dhe një tjetër është plagosur të dielën mbrëma, gjatë të shtënave në qytetin Toronto të Kanadasë, konfirmoi policia. I dyshuari është vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, tha shefi i policisë Jim MacSween. Ai tha për mediat se të shtënat ndodhën në një ndërtesë banimi. Personi i plagosur është dërguar në spital dhe është “në gjendje serioze”, tha policia. Policia tha se ishte thirrur për t’iu përgjigjur incidentit në orën 19:20, sipas kohës lokale. “Kur oficerët arritën, ata u përballën me një skenë të tmerrshme, ku një numër personash kishin vdekur”, tha MacSween për gazetarët. “Policët hynë në ndërtesë dhe u përballën me situatën. Mund të konfirmojë se një polic ka përdorur armën e zjarrit dhe si rezultat është vrarë edhe sulmuesi”, shtoi ai. Policia në Kanada tani po heton motivin e kësaj ngjarjeje, nëse ka ndonjë lidhje mes viktimave dhe të dyshuarit. I dyshuari, që nuk është identifikuar, sipas policisë ishte 73-vjeçar. Ndërtesa e banimit ku ndodhi sulmi, gjendej afër 30 kilometra në veri të Torontos. Sipas autoriteteve, viktimat u gjetën në banesa të ndryshme të ndërtesës.

SHARE