Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe tre kongresistë amerikanë kanë shprehur shqetësim për përshkallëzimin e protestave kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.
Ambasada amerikane theksoi se dhuna, lëndimi i personave dhe shkatërrimi i pronës nuk përbëjnë angazhim qytetar, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore.
Kongresisti republikan Joe Wilson kërkoi që Qeveria të përmbahet nga çdo formë dhune ndaj protestuesve, duke theksuar rëndësinë e lirisë, sundimit të ligjit dhe llogaridhënies institucionale.
Edhe kongresisti Robert Aderholt kërkoi respektimin e të drejtave të protestuesve paqësorë, ndërsa Keith Self kritikoi atë që e cilësoi shpërfillje të sundimit të ligjit dhe mungesë besimi ndaj politikanëve të korruptuar.
Ai u bëri thirrje udhëheqësve shqiptarë të dëgjojnë kërkesat e qytetarëve për ndryshime që mundësojnë zhvillim ekonomik dhe stabilitet rajonal.








