PROTESTA NË FRANCË DHE ITALI, PËRPLASJE ME POLICINË DHE QINDRA TË ARRESTUAR

Mijëra qytetarë kanë protestuar në Francë dhe Itali kundër rritjes së kostos së jetesës, pagave të ulëta dhe përkeqësimit të shërbimeve publike, ndërsa demonstratat në disa qytete janë shoqëruar me përplasje të dhunshme.

Në Francë, protestat u përhapën në Paris, Lyon, Marseille dhe qytete të tjera, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmat.

Sipas autoriteteve, mbi 1.200 persona u arrestuan dhe rreth 150 policë u plagosën, ndërsa në Limoges u raportua zjarr në ndërtesën e bashkisë.

Edhe në Itali pati tensione, veçanërisht në Milano dhe Bologna, ku protestuesit u përleshën me policinë dhe forcat e rendit ndërhynë për shpërndarjen e turmave. Në Bologna, sipas mediave italiane, shtatë persona u arrestuan.

Ndërkohë, në Romë mijëra qytetarë morën pjesë në një tubim sindikal, duke kërkuar paga më të larta, siguri në punë dhe mbrojtjen e shërbimeve publike.

Protestat pasqyrojnë pakënaqësinë në rritje të qytetarëve për presionin ekonomik dhe kushtet e jetesës.

SHARE