Komisioni Evropian ka dënuar dhunën gjatë protestave në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, duke kërkuar që përgjegjësit të mbahen para drejtësisë përmes procedurave të rregullta ligjore.
Në deklaratën e tij, Brukseli dënoi zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe dëmtimin e pronës publike e private, duke theksuar se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe se çdo reagim ndaj saj duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe proporcional.
Njëkohësisht, Komisioni Evropian rikujtoi se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera evropiane që duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Duke vlerësuar përkushtimin e Shqipërisë ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komisioni u bëri thirrje palëve që pakënaqësitë t’i trajtojnë përmes dialogut konstruktiv dhe paqësor.








