Të martën, më 18.10.2022, në moshën 65 vjeçare, në SHBA – New York, ndërroi jetë Vasel Sinishtaj. Sinishtaj ishte jurist i diplomuar dhe deputet në Parlamentit e Malit të Zi. Po ashtu, dy vitet e fundit ishte emëruar si Kryeadministrator i komunës së Tuzit.
Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, përmes rrjetit social „Facebook“, ndau me hidhërim lajmin që Vasel Sinishtaj ndërroi jetë. Në postimin e plotë të Gjeloshajt thuhet: „Vaseli ishte njeri i mirë, profesionist dhe punëtorë i pashoq! Ishte përherë i gatshëm për këshilla e ndihmë për çdo njeri që kishte nevoj. Ishim bashkëudhtarë politik për një kohë të gjatë. Në rolin e deputetit ishte zëri i parë shqip në Parlamentin e Malit të Zi, dhe nuk u kursye për të drejtat e shqiptarëve! Njëri ndër themeluesit e Alternativës Shqiptare, aktualisht ishte Kryetar i Këshillit politik i ASH. Dy vitet e fundit me përkushtim kryente detyrën e Kryeadministratorit në Komunën e Tuzit. I përjetshëm qoftë kujtimi për figurën e Vasel Sinishtaj! Për datën e mbajtjes së Orës komemorative dhe varrimit, do të njoftoheni me kohë!“
Po ashtu, edhe kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, dërgoi telegram ngushëllimi për vdekjen e Sinishtajt. “Me keqardhje të sinqertë e kam marrë lajmin për ndarjen nga jeta të zotit Sinishtaj. Të gjithë do ta kujtojmë për diskutimet e tij konstruktive si deputet i Kuvendit të Malit të Zi dhe kontributin e tij në zhvillimin e Komunës së Tuzit, ku mbajti poste të rëndësishme deri në vdekje. Në emër të Qeverisë së Malit të Zi dhe në emrin tim personal u shpreh ngushëllimet më të thella anëtarëve të familjes së tij”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryeministrit Abazoviq.
Kryetari i Këshillit Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të Vasel Sinishtaj. „Me trishtim mësuam lajmin për ndarjen e parakohëshme nga jeta të intelektualit, ish deputetit shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, antarit të Këshillit Kombëtar, juristit të dalluar, administratorit të Komunës së Tuzit, veprimtarit për të drejtat kombëtare, humanistit z. Vasel Sinishtaj. Shqiptarët në Mal të Zi do ta ndjejnë mungesën e një kuadëri dhe intelektuali të tillë. Për këtë rast i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes dhe të afërmëve, ndërsa urojmë që shpirti i të ndjerit të prehet në paqen e përjetshme!,“ thuhet në postimin e kryetarit të KKSH-së, Faik Nika.
Zyrtarë të shumtë politikë por edhe qytetarë të thjeshtë të cilët patën rastin ta njohin personalisht Vaselin, u shprehen ngushëllime familjes së të ndjerit dhe gjithë kolegëve/miqve, me rastin e vdekjes së Vaselit.
Stafi i Televizionit Boin shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta familjes Sinishtaj për humbjen e anëtarit të tyre të familjes, humbje kjo që preku jo vetëm familjen por të gjithë komunitetin shqiptar.