BORRELL MBLEDH NË NJU JORK LIDERËT E BALLKANIT PERËNDIMOR

Me ftesë të shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 20 shtator liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Nju Jork. Këtë takim e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime brenda BE-së në Bruksel, të cilat kanë thënë se “tashmë është bërë traditë që në javën e shtatorit kur në Nju Jork zhvillohet seanca vjetore e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, të mbledh në takim të tillë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Këto burime kanë thënë se nuk e dinë cili shtet do të përfaqësohet në cilin nivel, por janë shprehur të bindur se të gjitha shtetet do të marrin pjesë. Burimet kanë thënë po ashtu se aty do të diskutohet për situatën globale, e ndryshuar në mënyrë dramatike pas pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

SHARE