BLERJA E 750 MËSHQERRAVE DO TË ZËVENDËSOJË MUNGESËN E QUMËSHTIT

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Budimir Mugosha, ka paralajmëruar blerjen e deri në 750 mëshqerra, të cilat duhet të kompensojnë mungesën e sasive të nevojshme të qumështit në Mal të Zi. Ai për TVMZ tha se ky departament ka miratuar blerjen e 750 mëshqerrave këtë vit, të cilat duhet të prodhojnë rreth tre milionë e gjysmë kilogram qumësht në një vit gjatë laktacionit normal. “Kjo është afërsisht aq sa na mungon, kjo është një masë. Nuk është zbatuar vitin e kaluar, nuk kemi marrë mëshqerra, këtë vit do të marrim 700-750 mëshqerra, por nuk kemi mjete në buxhet. Vetëm për blerjen e mëshqerrave na mungojnë 500 mijë euro këtë vit, kemi kërkuar ribalancim dhe është miratuar”, tha Mugosha. Ai po ashtu theksoi se për vitin e ardhshëm janë duke planifikuar masa të reja, si subvencione për livadhe dhe kullota, në mënyrë që të zgjerohet gama e ndihmës për fermerët. Drafti i Agrobuxhetit, i cili është dorëzuar në Ministrinë e Financave, siç bëri të ditur ai, është 83 milionë euro për vitin 2023: “Nëse miratohen këto mjete, atëherë do të krijojmë Agrobuxhetin. Shpresoj në një situatë më të qëndrueshme vitin e ardhshëm”.

SHARE