Indonezia u kërkon kompanive teknologjike që të regjistrohen në ligjin e ri të licencimit ose të përballen me rrezikun e bllokadës

Indonezia gjatë së hënës u ka kërkuar kompanive teknologjike që të regjistrohen sipas ligjeve të reja të licencimit, ose do të përballen me rrezikun e bllokimit të platformave të tyre.

Të dhënat tregojnë se shumë kompani të mëdha teknologjike sikur Google dhe Meta ende nuk janë paraqitur për regjistrim teksa kanë mbetur edhe disa ditë para afatit të fundit të 20 korrikut.

Kërkesa për regjistrim është pjesë e një grupi të rregullave, të cilat fillimisht ishin lëshuar në nëntor të vitit 2020, të cilat i lejojnë autoritetet të urdhërojnë kompanitë që të fshijnë përmbajtjet e konsideruara të jashtëligjshme ose që shqetësojnë rendin publik, brenda disa orëve nëse konsiderohet diçka urgjente, ose brenda 24 orëve nëse nuk konsiderohet e tillë.

Në një mesazh dërguar për Reuters, Ministri i Komunikimit, Johnny G. Plate u kërkoi kompanive që të regjistrohen para fillimit të aplikimit të sanksioneve.

Ministria e tij tha muajin e shkuar se platformat e ndryshme do të mund të bllokohen nëse nuk e respektojnë vendimin e tyre, transmeton Telegrafi.

Sipas të dhënave nga ministria e komunikimit, deri të hënën më shumë se 5,900 kompani vendore dhe 108 kompani të jashtme janë regjistruar, duke përfshirë këtu edhe aplikacionin e videove të shkurtra TikTok dhe kompaninë e shpërndarjes së muzikës Spotify.

Platforma të tjera sikur Alphabet Inc, Twitter, dhe Meta e cila ka nën pronësi Facebook-un, Instagramin dhe WhatsApp-in, nuk janë regjistruar ende.

Zëdhënësit e Facebook, Twitter, WhatsApp dhe Google nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment ndaj kësaj çështjeje.

Sistemi i ri i licencimit aplikohet ndaj të gjithë Operatorëv të Shërbimeve Elektronike, si atyre vendor, ashtu edhe atyre dhe të jashtëm.

Qeveria gjithashtu mund t’i detyrojë kompanitë të publikojnë bisedat dhe të dhënat personale të përdoruesve të specifikuar nëse kjo u kërkohet nga agjencitë qeveritare ose organet e zbatimit të ligjit. /Telegrafi/

SHARE