NGA RINASI DREJT TORONTOS NË 10 ORË, INAUGUROHET LIDHJA E RE AJRORE SHQIPËRI-KANADA

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” po zhvillohet ceremonia inauguruese e fluturimit të parë Tiranë-Toronto, që lidh për herë të parë drejtpërdrejt Shqipërinë me Kanadanë.

Në aktivitet po merr pjesë kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar këtë linjë si një tjetër urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kanadasë, që afron më shumë qytetarët, bizneset dhe komunitetin shqiptar përtej Atlantikut.
Fluturimi do të operohet nga Air Transat dhe do të zgjasë rreth 10 orë, me ndalesë në aeroportin Pearson të Torontos.

Ambasadorja e Kanadasë në Shqipëri, Elissa Goldberg, përshëndeti vendosjen e fluturimeve direkte mes dy vendeve, duke theksuar se kjo lidhje është më shumë se një ofertë e re ajrore dhe krijon mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve mes Kanadasë dhe Shqipërisë.

Edhe ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, e cilësoi këtë një moment të rëndësishëm për vendin.

“Sot është një moment historik jo vetëm për aviacionin civil, por edhe për turizmin mbarëshqiptar. Hapim një urë të re lidhëse mes Shqipërisë dhe Amerikës së Veriut dhe një hap më tej i strategjisë sonë për ta bërë Shqipërinë më të aksesueshme”, tha Gonxhja.

SHARE