Dje, mijëra studentë shqiptarë u mblodhën para Urës së Gurit në Shkup për të kërkuar të drejtën që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe.
Slogani i protestës ishte “Bashkohuni me studentët – të gjithë njëzëri”, duke theksuar nevojën për respektimin e të drejtave gjuhësore në provimet e jurisrudencës.
Në protestë morën pjesë nga të gjitha trevat shqipfolëse, duke valëvitur në mes të Shkupit flamurin kuqezi.
Gjatë fjalës së tij, organizuesi i protestës Mevlan Ademi u shpreh se protesta është paqësore.
“Herën e fundit u ankuan për flamurin, kështu që kësaj here ngrijeni sa më lart flamurin shqiptar. Ne vijmë që të protestojmë në një formë paqësore”, tha ai.
Protesta është organizuar pas refuzimit të kërkesës së studentëve nga ministri aktual i Drejtësisë, Igor Filkov, dhe përbën protestën e dytë të studentëve shqiptarë gjatë këtij viti.
Që nga dita e diel, 17 maj, protesta ka marrë mbështetje nga figura të njohura publike, ndër ta Ramush Haradinaj, këngëtarja Shkurte Fejza, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, si dhe përfaqësues të PDK-së.
Një protestë e ngjashme ishte mbajtur edhe më 6 prill 2026 në Shkup, ku mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë kishin kërkuar respektimin e së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat ligjore.
Pas kësaj proteste, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se qeveria ishte duke punuar për një zgjidhje dhe se së shpejti do të paraqitej një propozim konkret.









