MICHEL INKURAJON KRIJIMIN E “BASHKËSISË GJEOPOLITIKE EVROPIANE”

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka propozuar krijimin e një Bashkësie gjeopolitike evropiane, në të cilën do të përfshiheshin vendet evropiane që ende nuk janë anëtare të BE-së. Kjo do të përfshinte edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, Michel ka konfirmuar se më 23 qershor në Bruksel do të zhvillohet një samit i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Burimet në Bruksel pohojnë se ky samit do të jetë ai që presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e kishte paralajmëruar kur vendi i tij mori kryesimin e radhës të BE-së, që përfundon në fund të qershorit për t’ia dorëzuar këtë detyrë Çekisë për gjysmën e dytë të këtij viti. “Ekziston një bashkësi gjeopolitike, e cila përfshinë hapësirën nga Rejkjaviku deri në Baku apo Jerevan, nga Oslo deri në Ankara. Jam thellësisht i bindur se nga kjo hapësirë gjeopolitike duhet konfirmuar një realitet politik. Dhe, këtë duhet bërë menjëherë”, ka thënë Michel, duke folur në Komitetin social dhe ekonomik evropian mbrëmjen e së mërkurës. “Dua të jem krejtësisht i qartë që në fillim. Kjo iniciativë në asnjë mënyrë nuk shkon në drejtim të zëvendësimit të zgjerimit apo të krijojë argument të ri për ngadalësim të procesit. Po ashtu, për ato vende që marrin pjesë në Bashkësinë gjeopolitike evropiane kjo nuk është garanci se një ditë do të jenë anëtare të BE-së”, ka deklaruar Michel. Ai, madje, ka thënë se “duhet përshpejtuar procesin e zgjerimit të BE-së”, por ka mbështetur edhe idetë për “reversibilitet”, pra që një shtet i cili nuk do të vazhdojë t’i përmbushë kriteret, të kthehet prapa në proces. Michel ka thënë se një qasje e tillë do të përshpejtonte procesin e reformave te vendet kandidate. Sipas presidentit të Këshillit Evropian, drejtimin e një “Bashkësie gjeopolitike evropiane” do ta kenë shefat e shteteve apo qeverive që marrin pjesë dhe ata do të takoheshin së paku dy herë në vit. Fushat kryesore të angazhimit do të ishin bashkëpunimi në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

SHARE