Është e famshme Tava e Krapit të Shkodrës. Shija e kësaj pjate të vjetër i fton të gjithë drejt Shkodrës, shqiptarë e të huaj.
Nuk ka mbetur njeri pa u përfshirë nga lumturia që të zgjon shqisa e shijes pasi ka provuar këtë tavë të mrekullueshme, me të cilën mburret krenare Shkodra.
Kjo recetë tipike e këtij qyteti i ka fillesat e saj që me krijimin e pazarit të Shkodrës.
Asaj kohe, akshijtë (kuzhinierët) zhvilluan përpunimin e peshkut, e veçanërisht Krapit, i cili ishte specialitet i liqenit të këtij qyteti.
Edhe në qytete të tjera, përveç Shkodrës është eksperimentuar të gatuhet një tavë e tillë.
Por mjeshtrit e vërtetë të gatimit të saj nga Shkodra thonë se ajo çdo gjë mund të jetë, vetëm jo një tavë shkodrane e krapit.
AgroWeb.org sjell më poshtë recetën origjinale të një prej kuzhinierëve më të mirënjohur e të vjetër shkodran, Xhelal Bakut. Recetë nga e cila mund të provojmë shijen e vërtetë të kësaj tave të mrekullueshme.
Gatimi
Merret krapi dhe pastrohet nga luspat, të brendshmet, e në mënyrë të veçantë nga një kockë që gjendet në grykën e kokës së krapit, të cilin shkodranët e quajnë Pethi. Kjo kockë ka formë trekëndëshi, e cila duhet hequr patjetër pasi i jep një shije të hidhur tavës së Krapit.
Pas kësaj, peshkun e pastruar e presim në feta 2-3 cm të trasha deri tek bishti i cili në fund lihet sipas dëshirës.
Kujdes duhet pasur që kokës së krapit t’i lihet pak pjesë nga trupi. Pas kësaj lahet me ujë të bollshëm dhe lihet të kullojë.
Pasi është pastruar nga gjaku dhe uji, në një tigan i jepet një faqe e lehtë në të dy anët duke e skuqur me vaj.
Kjo shërben për ta mbledhë mishin e peshkut. Vajin e tiganit që skuqëm peshkun e ruajmë pasi në të do të përgatisim lëngun e Tavës ose için siç i thonë shkodranët.
Përgatitja e Içit
Marrim qepën dhe pasi e pastrojmë, e grijmë në feta të holla për së gjati (si për sallatë) e hedhim në tiganin me vaj dhe e kaurdisim derisa të marri një ngjyrë të kuqërremtë.
Pastaj hedhim hudhrat e pastruara, edhe këto të prera në gjysmë ose në katërsh dhe i kaurdisim me qepën. Pastaj i hedhim domatet të cilave u kemi hequr lëkurën me ujë të vakët.
Nerdenin (Salcën e Domateve) vazhdojmë t’i përziejmë deri sa të bëhet një masë uniforme (kur treten plotësisht qepët në këtë masë).
Pastaj i shtojmë uthull rrushi, pistil, kumbulla të thata, piper, kripë, gjethe dafine dhe i ziejmë në një zjarr të ngadaltë.
Masa e içit duhet të jetë një masë e njëtrajtshme e trashë dhe një shije pak xhelatinoze. Në varësi të uthullës, i shtohet edhe pak sheqer.
Pasi içi është gati, merren fetat e Krapit hidhen në një tavë dhe mbi të hedhim için. I shtojmë pak ujë, por me kujdes, duke pasur parasysh edhe shterimin e tij. E fusim në një furrë me temperaturë normale 140-150 °C.
Pasi Krapi ka marrë faqe në të dy anët e tij dhe içi është bërë njësh me fetat dhe salca ka ngelur në yndyrën e vet, atëherë Tava Shkodrane është gati. Në fund i hedhim pak majdanoz dhe kumbulla të thata anash për ta servivur më pas në tavolinë.
Përbërësit për 6-7 persona:
- Krap i freskët 4-5 kg, mira është që të jetë mashkull
- Qepë 1.5 kg
- Hudhra 400 gr
- Domate 1 kg të pjekura mirë ose salcë, të cilës populli i Shkodrës i thotë Nerden (kjo sipas nevojës)
- Uthull 12 litri
- Pistil dhe kumbulla të thata (sipas shijes)
- Gjethe lari (Dafinë)
- Vaj 400 gr
- Piper, kripë, majdanoz dhe sheqer./AgroWeb.org