MINISTRA DHE EURODEPUTETË KËRKOJNË PËRSHPEJTIMIN E ZGJERIMIT TË BE-së

Deputetët e Parlamentit Evropian në Komisionin për Politikë të Jashtme, dhe një varg ministrash të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, kanë mbështetur procesin e zgjerimit të BE-së dhe kanë tërhequr vërejtjen se procesi duhet të përshpejtohet, pasi, sipas tyre, deri tash ka qënë tepër i ngadalshëm.

Ata kanë thënë se dinamika e procesit të zgjerimit duhet të përshpejtohet, edhe si përgjigje ndaj sfidave të reja gjeopolitike, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Deklaratat e tyre u bënë në një debat të përbashkët në Komisionin për Politikë të Jashtme të PE-së, me disa ministra të Jashtëm të vendeve anëtare, që u zhvillua të martën në Bruksel.

Kjo ishte hera e parë që një debat i tillë u zhvillua me praninë e eurodeputetëve dhe të ministrave të BE-së.

Debati u organizua vetëm dy ditë para se shefat e shteteve apo qeverive të BE-së të diskutojnë në Bruksel për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Bosnje e Hercegovinës, dhe për disa vendime tjera lidhur me zgjerimin.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, tha se zgjerimi i BE-së do të jetë temë edhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet evropiane, dhe kërkoi nga Komisioni Evropian të dalë me propozimin e reformave që BE-ja duhet t’i bëjë për t’u përgatitur për zgjerim.

Në debat, disa ministra, sidomos ata nga vendet baltike, kritikuan BE-në për ngadalësimin e procesit të zgjerimit dhe për lëvizje të afateve kohore. Ata përmendën pritjet që Ukraina të niste negociatat e anëtarësimit me Ukrainën në mars apo prill, teksa tash një gjë e tillë nuk pritet së paku deri në qershor.

Në këtë debat, megjithatë, nga vendet anëtare ishin pak a shumë ata ministra që kishin mendim më pozitiv për zgjerimin.

Në debat u pa mungesa e ministrave nga tri vendet më të mëdha anëtare, Gjermania, Franca dhe Italia.

SHARE