MULLIQ: NIVELI I UJIT PO RRITET, RREZIK NGA PËRMBYTJET

Rritja e ujërave në Liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna janë evidente.         Kjo rritje po i afrohet nivelit kur mund të ketë probleme të mëdha në lidhje me kërcënimet direkte ndaj popullësisë, pastaj të kërcnimeve ndaj familjeve dhe objekteve të tjera, deklaroi kreu i Shtabit Operativ për Mbrojtje dhe Shpëtim Mirsad Mulliq.

“Përmbytjet ende nuk kanë prekur zonat me rreziqe potenciale, por parametrat hidrologjike dhe meteorologjike tregojnë se situata mund të jetë shumë më e ndërlikuar dhe e komplikuar në ditët në vijim”,  tha Mulliq.

Ai theksoi se shtabi operativ po përcjellë vazhdimisht situatën dhe është në kontakt të vazhdueshëm me shërbimet dhe autoritetet kompetente, si në nivel lokal ashtu edhe në atë shtetëror. Sipas Mulliq, bazuar në informatat e siguruara nga Shtabi Operativ për Mbrojtje dhe Shpëtim, përmes Drejtorisë së OKC112, për situatat e jashtëzakonshme, situata lidhur me këtë çështje është shumë komplekse edhe në shtetin fqinj, në Shqipëri.

Sasia e ujit në hidro akumulimet e Drinit, kanë tejkaluar nivelin kritik.

“Duke pasur parasysh se me sasinë e reshjeve dhe faktorëve të tjerë, lëshimi i ujit nga këto akumulime hidrike është një nga arsyet kryesore për ngritjen e nivelit të ujit të liqenit ato kushtëzojnë drejtpërdrejt situatën në teren, prandaj edhe njëherë apelojmë te qytetarët, që të zhvendosin sendet e lëvizshme dhe kafshët në vende të sigurta, kurse përmes mjeteve të informimit të përcjellin zhvillimin e situatës dhe të jenë bashkëpunëtorë përgjegjës në këto probleme të përbashkëta. Sistemi i mbrojtjes dhe shpëtimit është ende në vigjilencë të plotë me të gjitha materialet dhe burimet njerëzore në dispozicion dhe do të reagojë në përputhje me zhvillimin e situatës”, përfundoi Mulliq.

SHARE