MBYLLET KULLA EIFFEL, PUNËTORËT HYJNË NË GREVË

Kulla Eiffel është mbyllur për vizitorët sepse punëtorët hynë në grevë, për të protestuar për mënyrën e menaxhimit financiar të monumentit. Disa sindikata kanë kritikuar operatorin e kullës, Sete, për të cilin thonë se jep një vlerësim të fryrë të numrit të vizitorëve të ardhshëm dhe një nënvlerësim të kostove të ndërtimit përpara Lojërave Olimpike të Parisit. Kjo, sipas tyre do të rezultojë në punë të dobëta të mirëmbajtjes në dëm të vizitorëve.

Mëngjesin e së hënës vizitorët qëndruan jashtë barrierave të terrenit të kullës përpara një ekrani gjigant që shpallte grevën. Midis tyre ishte Vito Santos, nga Kanadaja, i cili planifikoi të rivizitonte monumentin 15 vjet pas muajit të mjaltit dhe t’ua tregonte vendin fëmijëve të tij.

“Patjetër që është zhgënjyese sepse nuk është hera e parë që vijmë këtu. Ne ishim këtu në muajin tonë të mjaltit dhe ideja ishte të vinim në Francë 15 vjet më pas me fëmijët tanë për të vizituar saktësisht të njëjtin vend për t’ua treguar fëmijëve tanë. Pra, padyshim, është zhgënjyese.”

Por për disa turistë kjo është mënyra e duhur për të shprehur pakënaqësitë dhe për të tjerë një turp për Parisin që mirëpret 6 milionë vizitorë çdo vit.

“Njerëzit kanë të drejtë të protestojnë, dhe ata e bëjnë atë, ata e shprehin atë, dhe unë mendoj se populli francez duhet t’i mbështesë këto lloj grevash.”

“Është e mbyllur për publikun, sepse thonë se janë në grevë. Është vërtet një turp, sepse ne vijmë vetëm për tre ditë për të parë një momument kaq të mrekullueshëm.”

Në një deklaratë të përbashkët, sindikatat i bënë thirrje qytetit të Parisit të jetë i arsyeshëm me kërkesat e tyre financiare. Kjo është greva e dytë që prek Kullën Eiffel brenda dy muajve për të njëjtën arsye.

SHARE