PËR TË DAL NGA KRIZA, MALIT TË ZI I DUHEN ZGJEDHJE PARLAMENTARE

Është koha më në fund që Mali i Zi të dalë nga kriza dhe për këtë është e nevojshme që zgjedhjet parlamentare të mbahen sa më shpejt, thonë deputetët e Parlamentit Evropian. Ata theksojnë se pritshmëritë nga Mali i Zi në Bruksel janë jashtëzakonisht të mëdha dhe se vendi ynë duhet të përfitojë nga momenti dhe të marrë sërish statusin e liderit të procesit negociator.

Kriza politike, institucionale dhe kushtetuese, kjo është diagnoza aktuale e Malit të Zi në qarqet evropiane. Për të dalë nga një situatë e tillë, anëtarët e PE mendojnë se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë zgjidhja më e mirë.

“Besoj se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt, në kushte të caktuara dhe që më pas të gjithë të punojnë së bashku, në një detyrë të përbashkët, që është të mundësojmë të ardhmen e begatë të vendit, në BE”, tha deputeti i Parlamentit Evropian, Tys Roiten.

Bashkëpartiaku i Rojten nga Sllovenia, Matjazh Nemec, thekson se para organizimit të votimit është e rëndësishme të krijohen kushtet dhe të zgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

“Tani është koha që Mali i Zi të vendosë dhe të pajtohet për krizën kushtetuese. Ka vërtet shumë pritshmëri që Mali i Zi edhe një herë të jetë lider dhe model në rajon, sepse është e nevojshme jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha Nemec.

“Unë pres që të gjitha grupet politike të përmbahen nga lufta kundër njëri-tjetrit dhe që, pas zgjedhjeve paqësore dhe të ndershme, ata të bashkojnë forcat,” shtoi Rojten.

Dhe çelësi për zgjidhjen e ndarjeve të fshehura dhe polarizimit, siç thonë zyrtarët evropianë, qëndron ekskluzivisht në duart e qytetarëve malazezë, të cilët duhet të marrin vetë iniciativën dhe të tregojnë se në çfarë lloj vendi duan të jetojnë.

SHARE