POPA: SË SHPEJTI DY PROJEKTE TË MËDHA INFRASTRUKTURORE TË BE-së NË SEKTORËT E DREJTËSISË DHE SHËNDETËSISË

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa, ka njoftuar sot nisjen e dy projekteve të mëdha të financuara nga BE, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm infrastrukturën në sektorin e shëndetësisë dhe drejtësisë. Ambasadorja Popa njoftoi se së shpejti do të nisë një projekt i madh i BE-së që synon përmirësimin e kushteve të punës në sektorin e drejtësisë. “BE ka investuar 7.6 milionë euro në ndërtimin, rinovimin dhe përshtatjen e objekteve të gjykatave në gjashtë lokacione, si dhe në ndërtimin e objekteve të reja brenda kompleksit qendror të burgjeve në Spuzh”, tha ajo. Ambasadorja njoftoi gjithashtu fillimin e ndërtimit të qendrave për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve infektive dhe për situatat emergjente. “Ndërtimi i këtyre objekteve të rëndësishme shëndetësore do të fillojë javën e ardhshme, duke u bazuar në fillimin e vitit të kaluar të ndërtimit të dy klinikave të reja të financuara nga BE, me vlerë 8.5 milionë euro. Me ndërtimin e këtyre objekteve të reja shëndetësore, sektori i shëndetësisë publike në Mal të Zi po përjeton rritjen më të madhe të investimeve në dekadat e fundit”, tha Popa. Ambasadorja vuri në dukje se viti 2023 do të jetë vendimtar për Malin e Zi që të “hapë me vendosmëri përpara në rrugën e anëtarësimit në BE dhe të vazhdojë me reformat më të rëndësishme”. “Bashkimi Evropian dëshiron ta shohë Malin e Zi si anëtar të tij të plotë,” tha Popa.

SHARE