MOTI I KEQ SHKAKTON PËRMBYTJE NË SHQIPËRI DHE KOSOVË

Shqipëria është përfshirë nga moti i keq, ku reshjet e dendura të shiut dhe era e fortë kanë shkaktuar probleme në orët e fundit në disa qytete të vendit, ndërkohë situata më problematike është në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës.  Reshjet e dendura të shiut që kanë vijuar gjatë gjithë natës dhe paradites së sotme kanë krijuar probleme në qytetin e Shkodrës dhe Lezhës, duke shkaktuar edhe përmbytje të lagjeve dhe sipërfaqeve të tokave bujqësore. Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia e Shkodrës, sipërfaqja totale e përmbytur në territorin e kësaj bashkie është 1.000 hektarë, ndërsa në disa njësi administrative janë pa energji elektrike. Ndërkohë, reshjet e dendura të shiut që kanë vijuar gjatë natës kanë krijuar probleme në qytetin e Lezhës, ku në këtë qytet prezenca e ujit në disa lagje ka vështirësuar lëvizjen e këmbësoreve dhe automjeteve. Si pasojë e reshjeve të shiut janë përmbytur edhe oborret e disa shkollave në Bashkinë e Lezhës. Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë ka njoftuar se për shkak të situatës së rënduar të reshjeve në disa zona të vendit, procesi mësimor është ndërprerë në 56 shkolla, që janë shkolla fillore, 9-vjeçare dhe të mesme. Përveç reshjeve të shiut, zonat malore të vendit janë përfshirë edhe nga reshjet e borës, që kanë shkaktuar probleme në disa akse rrugore dhe në ndërprerjen e energjisë elektrike.

Disa komuna të Kosovës po përballen me vërshime që nga orët e mëngjesit pas reshjeve të fundit, derisa Komuna e Skënderajt ka shpallur tashmë gjendje të jashtëzakonshme. Kryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura tha se si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, situata është rënduar ndërsa kanë marrë vendim që të shpallin gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e kësaj komune si dhe kanë formuar Shtabin Emergjent që po punon në terren. Disa nga komunat tjera të cilat po përballen me vërshime në Kosovë janë edhe Vushtrria, Klina, Deçani si dhe rajoni i Pejës dhe Prizrenit. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit, sidomos në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës, disa lumenj kryesisht ata me karakter të rrëkeve, kanë paraqitur disa vërshime të shpejta.

SHARE